PS në Gjirokastër – Rama: Do rrisim ekonominë në 5% që ta ndjejnë qytetarët

Duhet të rrisim ekonominë me 5% që të ketë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Kështu është shprehur Kryeministri Rama nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës.
Në një takim me banorët jugorë, Rama ka premtuar se do t’i japë mundësi çdo shqiptari që të punojë dhe të fitojë para në mënyrën më të drejtë të mundshme.
“Që të bëjmë shtet tamam ne duhet të kemi të gjithë administratën shtetërore në funksion të njerëzve dhe jo në funkison të partive. Nuk mundet dot më të vazhdojmë duke i thënë atij që është i shkolluar, ka diplomën dhe eksperiencën dhe meriton t’i shërbejë atdheut në shtet, t’i themi se aty ku synon ti sundon një parti tjetër. Nuk mund të funksionojë kështu. Nuk mund të bëhet shteti një strehë vorfnore që rrogat e shtetit të përdoren për t’u dhënë njerëzve bukë në këmbim të aktivitetit partiak. Kjo është e pamundur. Shqiptarët nuk mund të ndahen më në copa”
Më tej Rama ka kërkuar që të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që kjo forcë të mbajë vetë në dorë timonin qeverisës. Sipas tij në katër vite nuk kanë mundur të bëjnë aq sa do të donin pasi “timonin drejtues” nuk e ka patur vetëm PS në dorë.
“Nëse je në timon ke të gjithë përgjegjësinë dhe nëse je i detyruar të mbash të tjerë në prehër që të mbajën dorën në timon përgjegjësia e madhe mbetet patjetër por vështirësia për të ecur shpejt drejt pa kthesa pa ndalesa pa tronditje, pa pengesa, është shumë e kufizuar”, tha Rama.
Ndërkohë Partia Socialiste vazhdon fushatën në të gjithë vendin për të bindur qytetarët që ti besojnë edhe një mandat të dytë qeverisës.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.